Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 06.10.2020, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr. 57/2019, datë 11.11.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik dhe ankimit e kundërankimit të subjektit të rivlerësimit Elvin Gokaj, kundër vendimit nr. 187, datë 24.07.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik deklaroi se ndan gjykim të kundërt me vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, sipas të cilit, janë konstatuar mangësi vetëm në aftësitë profesionale të subjektit të rivlerësimit, z. Elvin Gokaj  dhe është vendosur pezullimi i tij nga detyra për një periudhë njëvjeçare dhe detyrimi për të ndjekur programin e trajnimit, sipas kurrikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës. Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 187, datë 24.07.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, pasi sipas tij, z. Gokaj nuk arrin nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë.

Nga ana e tij, subjekti i rivlerësimit përmes përfaqësueses ligjore, paraqiti parashtresat për ankimin e depozituar prej tij, si dhe prapësimet për shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke kërkuar riçelje të hetimit, bazuar në disa akte të reja shkresore të depozituara gjatë seancës së sotme, për të cilat kërkoi të pranohen si provë nga trupi gjykues. Subjekti i rivlerësimit deklaroi se edhe vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që konstatonte mangësi në aftësitë profesionale të tij, është i cënueshëm në tërësinë e tij dhe me një analizë të mangët ligjore.

Me vendim të ndërmjetëm, trupi gjykues vendosi të riçelë hetimin gjyqësor dhe të pranojë në cilësinë e provës vetëm një pjesë të akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit, ndërkohë që bazuar në nenin 49, pika 6, germa “a” dhe “d” e ligjit 84/2016, vlerësoi se pjesa tjetër e akteve është e panevojshme dhe nuk ndikon në marrjen e vendimit, edhe nëse ato akte konsiderohen të vërteta.

Duke qenë se lejoi të marrë në cilësinë e provës disa akte, në funksion të ankimit të Komisionerit Publik dhe të ankimit të subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues vendosi që të dyja ankimet të shqyrtohen së bashku në të njëjtin proces.

Seanca e ardhshme do të zhvillohet në datën 21.10.2020 ora 10.30, për t’u dhënë kohë palëve të përgatiten për të debatuar lidhur me provat e reja.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.