Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit znj. Albana Shtylla mori pjesë sot në takimin e përbashkët që Komisioneri për Zgjerimin i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi dhe shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Genoveva Ruiz Calavera zhvilluan me drejtuesit e institucioneve të rivlerësimit, gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit si dhe komisionerët përfaqësues të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në reagimet e tyre pas takimit znj. Calavera dhe z. Varhelyi dhanë mesazh të qartë mbështetës për misionin e përfaqësuesve të këtyre institucioneve.
“Vizitë e rëndësishme në institucionet shqiptare të vetting-ut me Komisionerin Varhelyi. Vetting-u vazhdon me të njëjtin profesionalizëm dhe përkushtim për të siguruar që reforma në drejtësi të japë më të mirën për qytetarët shqiptarë. Sulmet e padrejta duhet të ndalen”, u shpreh znj. Calavera.
“Takim shumë i mirë me anëtarët e institucioneve të vetting- ut. Vlerësoj profesionalizmin dhe punën e vështirë. Mbështetje e fuqishme për procesin e vetting-ut, i cili është çelësi i afrimit të Shqipërisë me BE-në. Reforma në drejtësi duhet të vazhdojë”, u shpreh z. Varhelyi.
Gjatë fjalës së saj të mbajtur në këtë takim, në emër të tre institucioneve të rivlerësimit, znj. Shtylla foli për arritjet dhe problematikat me të cilat është ballafaquar procesi i vetting-ut dhe anëtarët e këtyre institucioneve për përmbushjen e detyrës së tyre kushtetuese. Një fokus të veçantë gjatë kësaj fjale, iu dha edhe kërkesave e shqetësimeve që kanë institucionet e rivlerësimit, për realizimin dhe zgjidhjen e të cilave, nevojitet angazhim i shpejtë nëpërmjet modaliteteve të duhura, si dhe një vemëndje e posaçme dhe e shtuar, jo vetëm nga vetë institucionet, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë kontribuues në procesin e vettingut, dhe në veçanti nga Bordi i Monitorimit të ONM-së. Në emër të anëtarëve të institucioneve te rivleresimit, znj. Shtylla shprehu angazhimin se ata do të vijojnë punën e tyre me profesionalizëm dhe përgjegjshmëri, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit.
Komisioneri Europian Varhelyi gjatë këtij takimi u angazhua për një mbështetje të fuqishme të institucioneve të rivlerësimit, si dhe për adresimin dhe zgjidhjen e problematikave të tyre.