Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 21.10.2020, ora 10:30, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr. 57/2019, datë 11.11.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik dhe ankimit e kundërankimit të subjektit të rivlerësimit Elvin Gokaj, kundër vendimit nr. 187, datë 24.07.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës konstatoi mungesën e Komisionerit Publik z. Darjel Sina që ka ushtruar ankimin në çështjen (JR) nr. 57/2019, datë 11.11.2019.

Në mungesë të tij, Komisioneri Publik z. Florian Ballhysa ishte i pranishëm për të bërë me dije se z. Sina kishte lajmëruar në mënyrë elektronike Kolegjin që, për arsye objektive, e kishte të pamundur pjesëmarrjen dhe kërkonte shtyrjen e seancës për një kohë të përshtatshme.

Pasi kryesuesja konfirmoi marrjen e e-mail-it, në të cilin Komisioneri Publik Darjel Sina kishte informuar për pamundësinë e tij për të qenë i pranishëm në seancën e sotme për arsye objektive dhe pasi përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit shprehu dakordësinë lidhur me kërkesën e Komisionerit Publik, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore publike për në datën 02.11.2020, ora 10:00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.