Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 04.11.2020, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes me numër regjistri (JR) 40/2018, datë 04.09.2019, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Arjana Fullani kundër vendimit nr. 186, datë 23.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, pasi subjekti i rivlerësimit, znj. Arjana Fullani, bëri me dije se përfaqësuesja e saj ligjore gjatë procesit gjyqësor në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, do të ishte znj. Evelina Qirjako, trupi gjykues u tërhoq në dhomë këshillimi për të verifikuar aktin e përfaqësimit të znj. Qirjako. Kryesuesja e seancës, në emër të trupit gjykues, deklaroi se gjykata legjitimonte znj. Qirjako si përfaqësuese ligjore të znj. Fullani në proces.
Pas këtij momenti procedural, përfaqësuesja ligjore paraqiti qëndrimin mbi ankimin lidhur me pikën 2 të vendimit nr. 186, datë 23.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, sipas së cilës “subjekti humb të drejtën për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë Gjyqësor ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”.
Përfaqësuesja ligjore deklaroi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është i cënueshëm në pikën 2 të tij, i marrë mbi prova që nuk ekzistojnë, mbi prova të pavlefshme, të kundraligjshme dhe në shkelje të qartë të ligjit procedural dhe të një procesi të rregullt ligjor administrativ.
Më pas, trupi gjykues i konsultuar në vend, me shumicë votash, vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes. Kryesuesja e seancës pyeti subjektin e rivlerësimit, zonjën Fullani, nëse si palë ankuese ishte e gatshme të paraqiste gjatë ditës së sotme konkluzionet përfundimtare apo i nevojitej një kohë shtesë për t’u përgatitur në lidhje me to. Përfaqësuesja ligjore deklaroi se konkluzionet përfundimtare nuk kishin asgjë të shtuar mbi argumentat që ajo kishte paraqitur në seancën e sotme në mënyrë të detajuar.
Me kërkesë të kryesueses së seancës, përfaqësuesja ligjore paraqiti kërkimin përfundimtar, sipas të cilit, subjekti i rivlerësimit i kërkonte Kolegjit ndryshimin e pikës 2 të vendimit nr. 186, datë 23.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe pushimin e gjykimit për këtë çështje, pas vlerësimit se objekti është i pamundur në bazë të nenit 95, të Kodit të Procedurës Administrative.
Pasi dëgjoi kërkimin përfundimtar të subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin përfundimtar për çështjen, të cilin do ta shpallë më datë 11.11.2020, ora 10.00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.