Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 14.12.2020, ora 12:00, seancën gjyqësore publike të çështjes me numër regjistri (JR) 17/2020, datë 02.06.2020, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Arjana Liço kundër vendimit nr. 247, datë 05.03.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Gjatë parashtrimit të saj, subjekti i rivlerësimit, znj. Arjana Liço deklaroi se vendimi nr. 247, datë 05.03.2020, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit sipas të cilit “subjekti humb të drejtën për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë Gjyqësor ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”, është i padrejtë, i pakuptimtë dhe i pazbatueshëm. Subjekti i rivlerësimit, znj. Liço tha se ndaj saj nuk mund të vendoset ky sanksion, pasi ndërprerja e statusit të magjistratit për të, ka qenë për shkak të daljes në pension pleqërie, çka është detyrim kushtetutes, dhe jo për shkak të dorëheqjes nga detyra.

Në funksion të shqyrtimit të çështjes, subjekti i rivlerësimit depozitoi tre akte, të cilat kërkoi të merren në cilësinë e provës nga trupi gjykues.

Pasi u tërhoq për konsultim, trupi gjykues vendosi të pranojë aktet në cilësinë e provës. E pyetur nga kryesuesja e seancës, subjekti i rivlerësimit, deklaroi se nuk kishte kërkime shtesë. Pas këtij momenti procedural, në emër të trupit gjykues, kryesuesja e seancës deklaroi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes, duke iu drejtuar subjektit të rivleresimit që të shprehej lidhur me kërkimin përfundimtar. Subjekti i rivleresimit, në perfundim, i kërkoi trupit gjykues pranimin e ankimit.

Në përfundim të kësaj seance, kryesuesja e trupit gjykues deklaroi shtyrjen e saj me qëllim shpalljen e vendimit përfundimtar të çështjes: ditën e enjte, më datë 17 dhjetor 2020, ora 15:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.