Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 27.01.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 51/2020, datë 23.11.2020, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Alaudin Malaj kundër vendimit nr. 294, datë 15.09.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në zbatim të vendimit të ndërmjetëm të seancës paraardhëse, subjekti i rivlerësimit konfirmoi njohjen me aktet procedurale të fashikullit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të mundësuar nga Kolegji dhe parashtroi shpjegimet e tij të mëtejshme lidhur me ankimin e paraqitur për gjykim.
Në këtë seancë gjyqësore, trupi gjykues mori në shqyrtim disa kërkesa të subjektit të rivlerësimit, për të cilat mori vendimet e ndërmjetme përkatëse që u shpallën në seancën gjyqësore publike.
Në kushtet kur trupi gjykues rrëzoi disa prej kërkesave të subjektit të rivlerësimit Alaudin Malaj, ky i fundit, kërkoi përjashtimin e të gjithë anëtarëve të trupit gjykues nga gjykimi i cështjes. Për arsye se kërkesa për përjashtimin e të gjithë anëtarëve të trupit gjykues nga gjykimi i kësaj çështjeje duhet të shqyrtohet nga një tjetër trup gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i zgjedhur nëpërmjet shortit, trupi gjykues vendosi të ndërpresë gjykimin e çështjes, duke caktuar seancën e radhës në datën 09.02.2021, ora 10:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.