Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 21.06.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 50/2019, datë 14.10.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 190, datë 26.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Ramiz Lala.
Në vijim të seancës së mëparshme, kryesuesi i trupit gjykues u bëri me dije palëve përgjigjet e ardhura nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Gjirokastër dhe Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, me kërkesë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në funksion të hetimit të mëtejshëm të çështjes.
Pasi palët konfirmuan njohjen me dokumentacionin e ri si dhe me analizën paraprake financiare të përgatitur nga Njësia e Shërbimit Ligjor pranë Kolegjit të Apelimit për vitet 2011, 2014, 2015 dhe 2016, aktet u pranuan në cilësinë e provës nga trupi gjykues.
Gjatë shprehjes së qëndrimit të tij lidhur me provat e reja, Komisioneri Publik deklaroi se bazuar në nenin 72, pika 2, e ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, subjekti i rivlerësimit ka mangësi në kriterin e aftësive profesionale. Komisioneri Publik, bazuar në analizën financiare, vlerësoi se subjekti i rivlerësimit ka mungesë të burimeve të ligjshme sa i përket kriterit të pasurisë.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi qëndrimin e Komisionerit Publik për kriterin e aftësive profesionale dhe kriterin e pasurisë dhe në mbështetje të pretendimeve të tij, krahas parashtrimeve, depozitoi një akt të ri, i cili u pranua si provë nga trupi gjykues.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa apo prova të tjera shtesë, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare në seancën e ardhshme që do të zhvillohet më datë 07.07.2021, ora 08:30.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.