Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 08.09.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 30/2021, datë 02.06.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 374, datë 23.04.2021, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Shkëlqim Miri.

Pasi konstatoi mosprezencën e subjektit të rivlerësimit apo të ndonjë përfaqësuesi ligjor të tij, kryesuesi i seancës bëri me dije se subjekti i rivlerësimit ka konfirmuar marrjen e njoftimit për zhvillimin e seancës gjyqësore në Kolegj dhe nuk ka paraqitur ndonjë shkak të arsyeshëm ligjor për të mos marrë pjesë në këtë gjykim.

Me vijimin e shqyrtimit të çështjes në mungesë të subjektit të rivlerësimit, Komisioneri Publik paraqiti konkluzionet përfundimtare, duke i kërkuar përfundimisht Kolegjit: të marrë në shqyrtim vendimin nr. 374, datë 23.04.2021 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe në zbatim të nenit 66, të ligjit nr.84/2016, të vendosë:

Ndryshimin e pikës 1 të dispozitivit të këtij vendimi, duke e kategorizuar procesin e rivlerësimit të z. Shkëlqim Miri si çështje të papërfunduar për efekt të juridiksionit të rivlerësimit.

Po ashtu, Komisioneri Publik, referuar pikës 2, të nenit 66, të ligjit nr.84/2016, i kërkoi Kolegjit që në arsyetimin e vendimit të tij, të orientojë Komisionin për zgjidhjen e çështjeve të ngjashme.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të Komisionerit Publik, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar për çështjen, të cilin do ta shpallë më datë 16.09.2021, ora 13:00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.