Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 15.09.2021, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 8/2020, datë 07.02.2020, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Arben Vrioni kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 214, datë 22.11.2019.

Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit paraqiti një kërkesë paraprake, përmes së cilës kërkoi konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe riçelje të hetimit administrativ, per tri kriteret e rivlerësimit. Trupi gjykues vlerësoi se kjo kërkesë nuk përfshihet tek kërkesat paraprake dhe se gjykimi në dhomë këshillimi ka pasur objekt shqyrtimi pikërisht këtë kërkesë. Sipas trupit gjykues, arsyeja e kalimit të çështjes në seancë gjyqësore publike ka qenë korrigjimi i gabimit procedural të kryer nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe që subjektit të rivlerësimit t’i garantohet mbrojtja e të drejtave themelore lidhur me çështjen e tij, në zbatim të nenit F, pika 3 të aneksit të Kushtetutës dhe nenit 51, pika 1, gërma “b”, të ligjit nr. 49/2012.

Në vijim, subjekti i rivlerësimit paraqiti në mënyrë të detajuar parashtrimin e tij, në mbështetje të pretendimit se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është marrë në formën e kërkuar nga ligji dhe në mungesë të një hetimi të plotë, tri dimensional.

Në funksion të shqyrtimit të çështjes, trupi gjykues lejoi marrjen në cilësinë e provës të disa akteve, të cilat ishin në formën e kërkuar nga ligji, të depozituara nga subjekti i rivlerësimit, z. Vrioni, në mbështetje të pretendimeve të tij.

Në vijim, subjekti i rivlerësimit kërkoi kohë që të depozitojë në formën e kërkuar nga ligji edhe aktet e tjera, të cilat nuk u morën në cilësinë e provës nga trupi gjykues. Kjo kërkesë u refuzua nga trupi gjykues në zbatim të përcaktimeve të nenit 49, pika 6, germa “a”, të ligjit nr. 84/2016.

Pas disa pyetjeve sqaruese të kryesueses drejtuar subjektit të rivlerësimit lidhur me çështjen dhe pas deklarimit të z. Vrioni se nuk kishte kërkesa të tjera shtesë, kryesuesja e seancës deklaroi mbylljen e hetimit gjyqësor.

Në kërkimin përfundimtar, përfaqësuesi i subjektit të rivlerësimit i kërkoi Kolegjit konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit me pasojë ndryshimin e atij vendimi duke kualifikuar subjektin e rivlerësimit për të qenë gjyqtar. Subjekti i rivlerësimit kërkoi që në qoftë se trupi gjykues i ka të gjitha provat edhe për dy kriteret e tjera t`i vlerësojë ato ose në të kundërt të prishë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikuar dhe të marrë vlerësimin dhe për dy kriteret e tjera.

Trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore, me qëllim shpalljen e vendimit përfundimtar për çështjen, më datë 27.09.2021, ora 14:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3 Tiranë.