Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 01.10.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 12/2021, datë 03.03.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 324, datë 11.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Sokol Ngresi.
Ne fillim të seancës, Komisioneri Publik, Z. Sina, u shpreh se Komisioneri Publik, Z. Ballhysa e kishte te pamundur objektivisht pjesëmarrjen në këtë seancë.
Në vijim te seancës se mëparshme, për caktimin e ekspertëve për përcaktimin nëse ka elemente falsiteti ne dokumentet origjinale te depozituara nga dëshmitari, u paraqiten pranë Kolegjit dy ekspertë, të autorizuar posaçërisht nga Instituti i Policisë Shkencore ne Drejtorine e Pergjithshme te Policise se Shtetit, te cilët pasi u caktuan si ekspertë nga trupa gjykuese për të kryer ekspertimin përkatës, bënë betimin para saj.
Si Komisioneri Publik, ashtu dhe subjekti i rivlerësimit, parashtruan pyetjet përkatëse që kishin për ekspertët, në lidhje me nënshkrimet e ndodhura në këto akte, kohën e nënshkrimit, apo nëse ato ishin nënshkruar nga i njëjti person.
Pas konsultimit, trupa vendosi caktimin e detyrave për ekspertët në lidhje me ekzaminimin grafik të dokumenteve objekt ekspertimi duke përfshirë nënshkrimet në to, kohën e përpilimit, etj., dhe nëse gjenden gjurmë të çdo lloji që të çojnë në konkluzionin se në këto akte ka element të falsifikuara. Për këtë qëllim, ekspertëve do t’u vihen në dispozicion dokumentet origjinale të ndodhura në Kolegj, deklaratat periodike vjetore te pasurisë që do të kërkohen nga ILDKPKI si edhe vendime gjyqesore te Gjykates se Apelit Vlorë të nënshkruara nga subjekti i rivlerësimit. Gjate seancës gjyqesore, subjektit te rivlerësimit iu morën në sallën e gjyqit, në prani të trupës gjykuese, modele eksperimentale te shkrimit dhe nënshkrimit te tij. Sipas vendimit te trupit gjykues ekspertët duhet të dorëzojnë aktin e ekspertimit të hartuar me shkrim brenda datës 08.11.2021.
Për qëllim të sa më sipër, seanca e radhës do të mbahet në datën 08.11.2021, ora 10.00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.