
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 15.12.2021, ora 13:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 13/2020, datë 01.06.2020 që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 221, datë 10.12.2019, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Anita Jella.
Pas verfikimit të prezencës së palëve, kryesuesja bëri me dije mbërritjen në Kolegj të disa denoncimeve në adresë të subjektit të rivlerësimit dhe përcjelljen e tyre palëve në proces.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik vlerësoi se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim jo të plotë, të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë, referuar kërkesave të nenit D të Aneksit të Kushtetutës dhe ligjit nr. 84/2016, duke mos arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e këtj kriteri. Komisioneri Publik deklaroi se kanë rezultuar problematika dhe mangësi lidhur me kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale dhe se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të provojë të kundërtën, përsa i ka kaluar barra e provës. Duke i kërkuar Kolegjit të ushtrojë juridiksionin vlerësues dhe kontrollues për të trija kriteret e vlerësimit, bazuar në pikën 3 dhe 7, të nenit F, të aneksit të Kushtetutës, shkronjën “b”, të pikës 1, të nenit 66, të ligjit nr. 84/2016, Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 221, datë 10.12.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
Subjekti i rivlerësimit, znj. Anita Jella kundërshtoi shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik për kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe kriterin e aftësive profesionale, duke deklaruar se ky ankim është i pabazuar në ligj, fakte dhe prova, se Komisioneri Publik nuk ka zbatuar parimin e objektivitetit dhe të proporcionalitetit, ndaj vlerësimi i kryer prej tij nuk i përgjigjet kërkesave të nenit D të Aneksit të Kushtetutës dhe ligjit nr.84/2016.
Subjekti i rivlerësimit, znj. Jella, i kërkoi Kolegjit riçeljen e hetimit, administrimin dhe pranimin në cilësinë e provës të disa akteve shoqëruese të parashtrimit të sotëm për një hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës, mospranimin e ankimit të Komisionierit Publik dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 221, datë 10.12.2019.
Sa i përket denoncimeve, subjekti i rivlerësimit kërkoi kohë të arsyeshme për përgatitjen me shkrim të qëndrimit, ndërsa Komisioneri Publik rezervoi të drejtën të shprehet pasi të dëgjojë subjektin e rivlerësimit.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të riçelë hetimin gjyqësor të çështjes, si dhe të pranojë kërkesën e subjektit të rivlerësimit për kohë të mjaftueshme për përgatitjen e përgjigjeve. Gjatë kësaj kohe, subjekti i rivlerësimit do të përgatisë përgjigjet edhe lidhur me disa pyetje sqaruese të relatores së çështjes gjatë seancës së sotme. Për këto arsye, seanca u shty për në datën 20.12.2021, ora 10:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.