Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 25.01.2022, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 12/2020, datë 04.03.2020 që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 224, datë 20.12.2019, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Astrit Kalaja.

Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik deklaroi se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë, të pamjaftueshëm, të paplotë për kriterin e pasurisë dhe se nuk arrin të justifikojë me burime të ligjshme pasurinë e tij. Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 224, datë 20.12.2019 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Astrit Kalaja.

Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit kundërshtoi shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik si të pabazuara në ligj dhe në prova dhe deklaroi se pasuria e z. Astrit Kalaja është e justifikuar me burime të ligjshme. Bashkëlidhur parashtrimeve të tij, subjekti i rivlerësimit depozitoi disa akte që gjenden në dosjen gjyqësore, të cilat kërkoi të pranohen nga Kolegji në cilësinë e provës.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të pranojë aktet në cilësinë e provës. Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa shtesë, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare.

Me arsyetimin se aktet e pranuara janë të njohura, pasi janë pjesë e dosjes gjyqësore, Komisioneri Publik deklaroi se nuk ka nevojë për kohë shtesë për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare të çështjes dhe se i qëndron kërkimit të tij në ankim.

Subjekti i rivlerësimit deklaroi se lista e argumentave të paraqitura gjatë seancës së sotme është shteruese për të kundërshtuar shkaqet e ankimit, si dhe kërkoi përfundimisht, lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 224, datë 20.12.2019.

Pasi u konsultua në vend, trupi gjykues deklaroi se vendimi përfundimtar për çështjen, do të shpallet më datë 27.01.2022, ora 13:00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.