Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 18.02.2022, ora 11:30, seancën plenare publike të çështjes (JD) 3/2021, datë 30.04.2021, me ankues Bujar Memia, kundër vendimit nr.81, datë 31.03.2021 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për caktimin e masës disiplinore ndaj prokurorit Bujar Memia” dhe me subjekte të interesuar, Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP).

Lidhur me kërkesën e ankuesit për çmuarjen si të pavlefshëm të aktit të përfaqësimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, trupi gjykues nuk arriti shumicën e kërkuar sipas nenit 72/2, i lidhur me nenin 73/4 të ligjit të ligjit 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar; për këtë arsye, vendosi rrëzimin e kërkesës së ankuesit bazuar në nenin 39/2 të ligjit 8577/2000.

Në vijim, ankuesi paraqiti një kërkesë të re paraprake, nëpërmjet së cilës kërkoi akte të tjera nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Lidhur me këtë kërkesë përfaqësuesi i KLP-së deklaroi se ky institucion nuk dispozon akte të tjera veç fashikullit që i ka përcjellë Kolegjit dhe që përfshin të gjitha aktet e dërguara nga ILD-ja dhe ato të prodhuara nga KLP-ja.

Përfaqësuesja e ILD-së sqaroi se ankuesi kërkon informacione nga raporti i procedimit disiplinor për çështje lidhur me të cilat nuk i është kërkuar të mbajë përgjegjësi disiplinore.

Pasi dëgjoi shpjegimet e përfaqësuesve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorit të lartë të Drejtësisë, trupi gjykues vendosi rrëzimin e kërkesës së paraqitur nga ankuesi Bujar Memia për kërkimin e akteve nga këto institucione. Duke qenë se debati gjyqësor lidhur me kërkesën paraprake të ankuesit, si dhe shpjegimet që dhanë palët pjesëmarrëse në gjykim morën një kohë relativisht të gjatë, duke pasur në konsideratë, gjithashtu, faktin që debati gjyqësor lidhur me themelin e ankimit nuk mund të mbyllej brenda ditës së sotme, seanca u shty për në datën 15 mars 2022, ora 10:00.

 

Seanca plenare publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.