Kolegji i Posaçëm i Apelimit njofton se sot, më datë 01.03.2022, pasi mori në shqyrtim në dhomë këshillimi çështjen (JR) nr. 26/2020, datë 01.07.2020, që i përket ankimit të paraqitur nga subjekti i rivlerësimit Edmond Hyka kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 223, datë 20.12.2019, bazuar në nenin F, pika 3 e Aneksit të Kushtetutës, në nenin 4, pika 5 e ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe në nenin 51, pika 1, germa “b” e ligjit nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar, me shumicë votash, vendosi ta kalojë çështjen për shqyrtim në seancë gjyqësore publike, ditën e enjte, në datën 24.03.2021, ora 10:00.
Gjykimi në seancë publike u vendos për të rregulluar shkeljet procedurale të procesit dhe për t’i dhënë mundësinë subjektit të rivlerësimit, z. Edmond Hyka, të dëgjohet e të paraqesë argumentat e tij.
Trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga:
Kryesuese: Rezarta Schuetz
Relator: Sokol Çomo
Anëtarë: Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.