Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 11.03.2022, ora 10:00, seancën plenare publike të çështjes (JD) 2/2021, datë 26.03.2021, me ankues Markelian Kuqo, kundër vendimit nr.633, datë 10.12.2020 të Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për caktimin e masës disiplinore ndaj gjyqtarit Markelian Kuqo” dhe me subjekte të interesuar, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
Në vijim të seancës së mëparshme, përfaqësuesi i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe përfaqësueset e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë iu përgjigjën pyetjeve të ankuesit lidhur me rrethanat që çuan në marrjen e vendimit nr.633, datë 10.12.2020 të Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për caktimin e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra të gjyqtarit Markelian Kuqo”.
Ankuesi, z. Markelian Kuqo paraqiti kundërargumentat e tij lidhur vetëm me disa nga përgjigjet e dhëna nga subjektet e interesuar dhe kërkoi: vënien në dispozicion të cd-së audio të një séance dëgjimore të tij të zhvilluar pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, më datë 10 dhjetor 2020, si dhe kohë të përshtatshme për të përpunuar parashtrimet e tij lidhur me pjesën tjetër të përgjigjeve të subjekteve të interesuar.
Pasi dëgjoi qëndrimin e subjekteve të interesuar, që i konsideruan të papranueshme të dyja kërkesat e ankuesit, trupi gjykues vendosi të rrëzojë kërkesën e parë, duke vlerësuar se kërkohet të prodhohet një rrethanë që nuk ka ndodhur gjatë procesit disiplinor të zhvilluar nga KLGj-ja. Trupi gjykues vendosi të rrëzojë edhe kërkesën e dytë, duke ftuar ankuesin që qëndrimin për përgjigjet e mbetura ta mbante në vijim të seancës së sotme.
Ankuesi, z. Markelian Kuqo refuzoi të parashtronte qëndrimin e tij për përgjigjet e mbetura gjatë seancës së sotme gjyqësore, por kërkoi administrimin në cilësinë e provës të parashtrimeve për aq sa u shpreh.
Referuar rrethanave të çështjes objekt shqyrtimi, mungesës së kontrollit përfundimtar dhe të plotë të sistemit gjyqësor mbi vendimmarrjen e vetme të magjistratit që është konsideruar se ka përbërë shkelje disiplinore, interpretimit dhe analizës së ligjit penal të kryer në çështjen konkrete, në kushtet e mungesës së një praktike gjyqësore të njesuar apo të unifikuar nga Gjykata e Lartë, duke vlerësuar se marrja e një vendimi për procedimin disiplinor të ankuesit do të ishte e cënueshme pa pasur një qëndrim përfundimtar të Gjykatës së Lartë mbi këtë çështje – si gjykata kompetente për çështjet e ligjit -, bazuar në nenin 1, paragrafi i dytë i ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikën së Shqipërisë”, i ndryshuar, nenin 297, shkronja “a” të Kodit të Procedurës Civile, me shumicë votash, Kolegji vendosi:
- Të pezullojë gjykimin e çështjes së juridiksionit disiplinor me nr. 2/2021, që i përket ankuesit Markelian Kuqo deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes penale lidhur me rekursin e shtetasit G. Gj. të depozituar në Gjykatën e Lartë.
- Ky vendim t’i njoftohet Gjykatës së Lartë.
Seanca pasuese publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.