Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 26.04.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 22/2020, datë 26.06.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 229, datë 28.01.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Dritan Banushi.

Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik deklaroi se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë, të pamjaftueshëm, ka mungesë të burimeve të ligjshme për krijimin e të pasurisë dhe se nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë. Bazuar në parashikimet e nenit F, pikat 3 dhe 7, të aneksit të Kushtetutës, nenit 66, pika 1, germa “b”, të ligjit nr. 84/2016, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të marrë në konsideratë shkaqet e ankimit dhe në përfundim të gjykimit të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 229, datë 28.1.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Dritan Banushi.

Subjekti i rivlerësimit, z. Dritan Banushi, paraqiti prapësimet e tij lidhur me shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke i kërkuar Kolegjit riçeljen e hetimit gjyqësor në funksion të një gjykimi të plotë e të drejtë, duke pranuar në cilësinë e provës aktet e reja që subjekti i rivlerësimit paraqiti gjatë seancës së sotme gjyqësore, në mbështetje të parashtrimeve të tij.

Me kërkesë të trupit gjykues, Komisioneri Publik paraqiti qëndrimin e lidhur me denoncimet e publikut, për të cilat u shpreh se nuk përmbajnë fakte dhe rrethana për shkelje ligjore, sipas kritereve të rivlerësimit.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi:

  • Riçeljen e hetimit dhe marrjen në cilësinë e provës të akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit gjatë seancës së gjyqësore në mbështetje të prapësimeve të tij.
  • T’i kërkojë Komisionerit Publik të paraqesë në Kolegj, brenda datës 10 maj 2022, analizën financiare për vitet 2003 – 2016 në kuadër të shkaqeve të ankimit. Kolegji sapo të administrojë këtë analizë do t’ia përcjellë subjektit të rivlerësimit.
  • Lidhur me denoncimet, nuk u gjendën fakte dhe rrethana të vlefshme për hetime të mëtejshme, ndërkohë që një denoncim i ri nga publiku, ishte depozituar gjatë ditës së sotme në Kolegj.

Për t’i dhënë mundësi subjektit të rivlerësimit të njihet me analizën financiare që do të përgatisë Komisioneri Publik dhe të mbajë qëndrim lidhur me të, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore më datë 20 maj 2022, ora 10:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.