Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 19.05.2022, ora 12:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 14/2021, datë 30.03.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 325, datë 14.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Rilinda Selimi.
Komisionerja Publike iu përgjigj pyetjeve sqaruese lidhur me ankimin, që relatorja e çështjes drejtoi gjatë seancës së mëparshme, të datës 28.04.2022.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi shkaqet e ankimit për të trija kriteret e vlerësimit, duke pretenduar se janë të pabazuara dhe të pambështetura në ligj e në prova. Subjekti i rivlerësimit, znj. Rilinda Selimi, mbështeti këto pretendime në disa akte të paraqitura, për një pjesë të të cilave, deklaroi se do të kërkonte ose jo marrjen si provë nga trupi gjykues, në varësi të qëndrimit pasues që Komisionerja Publike do të mbante pas njohjes me to.
Pasi Komisionerja Publike u shpreh se nuk kishte një qëndrim lidhur me aktet, me kërkesë të kryesuesit të seancës për qartësimin e momentit procedural, subjekti i rivlerësimit listoi aktet që kërkoi të merren në cilësinë e provës nga trupi gjykues. Për pjesën tjetër të akteve, subjekti i rivlerësimit deklaroi se do të shprehet, pasi Kolegji të mbajë qëndrim lidhur me çeljen ose jo të hetimit mbi çështjen.
Trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 6 qershor 2022, ora 10:00, me qëllim që të vendosë lidhur me mënyrën e vazhdimit të gjykimit të kësaj çështjeje.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.