Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 24.05.2022, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 26/2021, datë 17.05.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 344, datë 11.02.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Marinela Osmani.

Në këtë séancë, në konkluzionet përfundimtare, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit nr. 344, datë 11.2.2021, të Komisionit të Pavaruar të Kualifikimit për subjektin e rivlerësimit, znj. Marinela Osmani, por, bazuar në nenin 66, pika 2 e ligjit nr. 84/2016, të orientojë Komisionin nëpërmjet parimeve udhëzuese për çështje të ngjashme, për subjekte rivlerësimi, të cilët janë persona të lidhur me subjekte të tjerë rivlerësimi.

Subjekti i rivlerësimit, në prapësim të shkaqeve të ankimit, kërkoi përfundimisht lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke argumentuar se është vendim i marrë në zbatim të parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit, si dhe në përputhje me parashikimet e Kushtetutës dhe ligjit.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 27.05.2022, ora 13:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.