Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 26.05.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 36/2020, datë 11.09.2020, që i përket ankimit të Komisioneres Publike kundër vendimit nr. 241, datë 26.02.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Irena Gjoka.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit për kriterin e pasurisë, Komisionerja Publike znj. Irena Nino deklaroi se subjekti i rivlerësimit, znj. Irena Gjoka, ka kryer deklarim të pasaktë, të pamjaftueshëm, ka mungesë të burimeve të ligjshme për krijimin e pasurisë dhe se nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e saj në detyrë. Komisionerja Publike i kërkoi Kolegjit të marrë në shqyrtim shkaqet e ankimit dhe në zbatim të nenit 66, pika 1, gërma “b” të ligjit nr. 84/2016, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 241, datë 26.2.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Irena Gjoka.
Subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesja ligjore paraqitën prapësimet lidhur me ankimin e Komisioneres Publike, duke deklaruar se shkaqet e ankimit nuk qëndrojnë, pasi janë të pabazuara në ligj dhe në prova. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit riçeljen e hetimit gjyqësor të çështjes, duke pranuar në cilësinë e provës aktet e reja që subjekti i rivlerësimit paraqiti gjatë seancës së sotme gjyqësore, në mbështetje të parashtrimeve. Subjekti i rivlerësimit, znj. Irena Gjoka, kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 241, datë 26.02.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin e saj ne detyrë.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të pranojë në cilësinë e provës aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit bashkëlidhur parashtrimeve të sotme.
E pyetur nga kryesuesi i seancës, Komisionerja Publike deklaroi se qëndrimin e saj lidhur me vlerën provuese të akteve të pranuara si provë, do ta paraqesë gjatë konkluzioneve përfundimtare.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Duke qenë se Komisionerja Publike kërkoi kohë për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 31 maj 2022, ora 14:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.