Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 27.05.2021, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 22/2020, datë 26.06.2020, që i përket ankimit të Komisioneres Publike kundër vendimit nr. 229, datë 28.01.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Dritan Banushi.

Në vijim të detyrave të ngarkuara gjatë seancës së mëparshme, subjekti i rivlerësimit deklaroi se qëndrimin e përgatitur lidhur me shkresën e të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) mbi metodologjinë e llogaritjes së shpenzimeve të jetesës për vitin 2007, do ta shprehte në vijim të seancës, gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare të çështjes. Subjekti i rivlerësimit kërkoi të administrohet në cilësinë e provës një akt ekspertimi që kishte përgatitur në mbështetje të pretendimeve të tij, si dhe kopjen  e shkresave të marra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për këtë qëllim, kërkesë kjo, që u pranua nga trupi gjykues.

Duke qenë se palët nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllte hetimin gjyqësor të çështjes dhe i ftoi palët të paraqesnin konkluzionet përfundmitare.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisionerja Publike deklaroi se i qëndronte të gjitha shkaqeve të ankimit, pasi subjekti i rivlerësimit, edhe pas provave të reja, nuk kishte arritur të provonte të kundërtën e ankimit. Komisionerja Publike kërkoi përfundimisht ndryshimin e vendimit nr. 229, datë 28.01.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundmitare, subjekti i rivlerësimit kundërshtoi shkaqet e ankimit, duke deklaruar se analiza financiare e Komisionerit Publik është një analizë vetëm përshkruese, e paargumentuar dhe e paplotë. Subjekti i rivlerësimit kërkoi përfundimsht nga Kolegji lënien në fuqi të vendimit nr. 229, datë 28.01.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin e tij në detyrë.

Pasi trupi gjykues dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 08.06.2022, ora 15:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.