Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 08.06.2022, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 31/2020, datë 30.07.2020, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Adnand Xhelili kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 237, datë 12.02.2020.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues konstatoi mungesën e subjektit të rivlerësimit z. Adnand Xhelili, i cili kishte njoftuar paraprakisht Kolegjin që, për arsye shëndetësore, e kishte të pamundur pjesëmarrjen në seancë dhe kërkonte shtyrjen e saj, duke paraqitur dhe dokumentacionin mjekësor përkatës.

Trupi gjykues, pasi shqyrtoi kërkesën e paraqitur nga subjekti i rivlerësimit dhe dokumentacionin bashkëlidhur, vendosi shtyrjen e seancës gjyqësore publike për në datën 26 korrik 2022, ora 10:00, duke e ftuar subjektin e rivlerësimit që në rast pamundësie për t’u paraqitur personalisht, të marrë pjesë në seancë nëpërmjet përfaqësuesit të tij ligjor. Në rast mosparaqitje të subjektit apo përfaqësuesit të tij ligjor, trupi gjykues do të revokojë vendimin e ndërmjetëm për mbajtjen e seancës gjyqësore publike, duke vijuar shqyrtimin e çështjes në dhomë këshillimi.

Gjithashtu, trupi gjykues bëri me dije se nëse kërkohet nga ana e subjektit të rivlerësimit, Kolegji mund ta zhvillojë seancën gjyqësore publike në një ambient të përshtatshëm me gjendjen e tij shëndetësore.