Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 09.06.2021, ora 13:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 40/2021, datë 23.07.2021, që i përket ankimit të Komisioneres Publike kundër vendimit nr. 393, datë 03.06.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Gerd Hoxha.

Në vijim të seancës së mëparshme, palët konfirmuan njohjen me me provat e reja – aktet që janë pjesë e fashikullit të çështjes së ish – bashkëshortes së subjektit të rivlerësimit – dhe shprehën qëndrimet e tyre lidhur me analizën financiare paraprake të përgatitur nga Kolegji, të mbështetur në shkaqet e ankimit të Komisioneres Publike.

Komisionerja Publike, znj. Irena Nino, kundërshtoi pretendimet e subjektit të rivlerësimit për kërkime nga ana e saj në tejkalim të shkaqeve të ankimit që lidhen me kriterin e pasurisë, si dhe deklaroi se rezervon të drejtën të shprehet lidhur me analizën financiare, gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare.

Subjekti i rivlerësimit paraqiti prapësimet e tij lidhur me analizën financiare paraprake, duke pretenduar se është një analizë e pabazuar në ligj, nuk përputhet me jurisprudencën e deritanishme të Kolegjit, si dhe cënon parimin e sigurisë juridike. Nëpërmjet një kërkese procedurale, subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit, shpalljen si të pavlefshme të analizës financiare ose rikryerjen e saj, duke përfshirë qëndrimet që ka mbajtur subjekti i rivlerësimit lidhur me çështjen, gjatë seancave të mëparshme të zhvilluara në Kolegj. Me shumicë votash, trupi gjykues vendosi të mos pranojë këto kërkesa të subjektit të rivlerësimit.

Në vijim të seancës, subjekti i rivlerësimit përsëriti qëndrimin e tij të mbajtur në seancën e datës 05.04.2022, duke deklaruar se shkaqet e ankimit të Komisioneres Publike janë të pasakta, të pabazuara në ligj dhe në prova dhe i  kërkoi Kolegjit të mos pranojë ankimin.

Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare të çështjes, në seancën e radhës, më datë 22 qershor 2022, ora 14:30.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.