Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 20.06.2022, ora 14:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 14/2021, datë 30.03.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 325, datë 14.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Rilinda Selimi.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, pas vlerësimit të provuara të administruara, Komisionerja Publike Irena Nino deklaroi se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe të kriterit të figurës, ndërsa arriti të provojë se nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit. Komisionerja Publike i kërkoi përfundimisht Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 325, datë 14.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Rilinda Selimi.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, subjekti i rivlerësimit deklaroi se nuk ka rrethana faktike në ankimin e Komisioneres Publike, të cilat do ta bënin të cënueshëm vendimin nr. 325, datë 14.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit që duke u bazuar në situatën e provuar gjyqësisht, të rrëzojë shkaqet e ankimit dhe të lërë në fuqi vendimin nr. 325, datë 14.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 22.06.2022, ora 14:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.