Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 22.06.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 19/2021, datë 19.04.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 342, datë 02.02.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elbana Lluri.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik pranoi disa nga pretendimet e subjektit të rivlerësimit për kriterin e pasurisë, por në tërësi, vlerësoi se subjekti i rivlerësimit, znj. Elbana Lluri, ka kryer deklarim të pasaktë, të pamjaftueshëm dhe ka mungesë të burimeve të ligjshme për krijimin e pasurisë së saj. Përfundimisht, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 342, datë 02.02.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.

Subjekti i rivlerësimit, znj. Elbana Lluri, deklaroi se gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar në Kolegj ka arritur të provojë në mënyrë të pakontestueshme burimin e ligjshëm të krijimit të pasurisë, duke arritur nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë. Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit nr. 342, datë 02.02.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar të çështjes, të cilin do ta shpallë më datë 6 korrik 2022, ora 15:00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.