Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 19.01.2023, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 47/2020, datë 22.10.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 264, datë 17.06.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elona Toro.

Subjekti i rivlerësimit znj. Elona Toro iu përgjigj pyetjeve që relatorja e çështjes i drejtoi gjatë seancës gjyqësore të datës 21 dhjetor 2022 në kuadër të debatit gjyqësor rreth analizës financiare të përgatitur nga Kolegji dhe dha shpjegime shtesë në përgjigje të parashtrimeve të Komisionerit Publik të seancës së mëparshme. Bashkëlidhur prapësimeve të sotme, subjekti i rivlerësimit paraqiti edhe disa akte, që kërkoi të merren në cilësinë e provës nga trupi gjykues.

I pyetur nga trupi gjykues lidhur me anën formale të akteve, Komisioneri Publik konstatoi se se njëri prej tyre, specifikisht, një vendim gjyqësor i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ishte i paplotë për nga përmbajtja.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të pranojë si provë aktet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, përveç vendimit gjyqësor të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shkak se e vlerësoi të paplotë. Trupi gjykues i kërkoi subjektit të rivlerësimit të mbante qëndrim, nëse i nevojitej kohë për të verifikuar përmbajtjen e këtij akti e për ta risjellë në formë të plotë, përndryshe, do të mbetej për t’u zbatuar vendimi i ndërmjetëm për mosadministrimin si provë të këtij dokumenti.

Subjekti i rivlerësimit deklaroi se tërhiqej nga kërkesa për marrjen si provë të aktit.

Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare.

Me kërkesë të Komisionerit Publik për kohë të mjaftueshme për të përgatitur konkluzionet përfundimtare duke marrë në konsideratë parashtrimet e sotme të subjektit të rivlerësimit dhe aktet e pranuara si provë, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 25 janar 2023, ora 12:00.

 

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.