Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 17.05.2023, ora 11:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 37/2022, datë 01.09.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 535, datë 26.05.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Bledar Bejko.
Trupi gjykues vendosi të administrojë në cilësinë e provës aktet e paraqitura nga subjekti i rilerësimit bashkëlidhur prapësimeve të depozituara në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit më datë 15.05.2023.
Trupi gjykues shpalli gjithashtu, vendimin lidhur me denoncimet e publikut:
– Lidhur me dy denoncime, trupi gjykues vendosi të mos kryejë hetime të mëtejshme. Për njërin prej tyre, për arsye se aktet e administruara në dosje janë të mjaftueshme për të bërë një vlerësim; ndërsa për tjetrin, sepse nuk përmban fakte dhe rrethana të mjaftueshme për hetime të mëtejshme.
-Lidhur me tri denoncime të tjera, trupi gjykues, me shumicë votash, vendosi t’i drejtohet Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për informacion shtesë në funksion të hetimeve të mëtejshme rreth tyre.
Në pritje të mbërritjes së këtyre informacioneve, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore publike për në datën 19 qershor 2023, ora 10:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.