Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 20.06.2023, seancën në dhomë këshillimi të çështjes me numër regjistri (JR) 23/2021, datë 10.05.2021, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Aleks Nikolli kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 290, datë 10.08.2020.
Pasi mori në shqyrtim çështjen në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 51, pika 1, shkronja “b” të ligjit 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar, vendosi shqyrtimin e çështjes në seancë gjyqësore publike, pasi vendimi i Komisionit ndaj të cilit është paraqitur ankimi është bazuar në shkelje të rënda procedurale, si dhe për t’i dhënë mundësi subjektit të rivlerësimit për t’u dëgjuar lidhur me pasurinë apartament banimi me dy shtesa anësore, ndodhur në qytetin e Lezhës.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet ditën e mërkurë, në datën 12.07.2023, ora 10.30.
Trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga:
Kryesuese: Albana Shtylla
Relatore: Natasha Mulaj
Anëtarë: Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.