Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 22.06.2023, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 37/2022, datë 01.09.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 535, datë 26.05.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Bledar Bejko.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisionerja Publike deklaroi se aktet e pranuara në cilësinë e provës nga Kolegji, të ardhura nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, si dhe ato të depozituara nga subjekti i rivlerësimit, nuk ndikojnë në shkaqet e ankimit për të trija kriteret e vlerësimit, atë të pasurisë, figurës dhe vlerësimit të aftësive profesionale. Duke i qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, Komisionerja Publike i kërkoi përfundimisht Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 535, datë 26.05.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi shkaqet e ankimit të Komisioneres Publike për të trija kriteret e rivlerësimit dhe i kërkoi përfundimisht Kolegjit mospranimin e ankimit, si të paraqitur jashtë afateve ligjore, si të pabazuar në prova e ligj, duke vendosur lënien në fuqi të vendimit nr. 535, datë 26.05.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Pasi dëgjoi kërkimet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi të tërhiqej për marrjen e vendimit përfundimtar të çështjes, të cilin do ta shpallë më datë 26.06.2023, ora 14:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.