Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 12.07.2023, ora 10:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 23/2021, datë 10.05.2021, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Aleks Nikolli kundër vendimit nr. 290, datë 10.08.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.Subjekti i rivlerësimit parashtroi në mënyrë të detajuar argumentet e tij lidhur me shkeljen procedurale të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, atë të pasqyrimit në vendim të një konkluzioni për pasurinë e tij, apartament banimi në Lezhë, me dy shtesa anësore, konkluzion ky, që nuk ishte i shumicës, por i relatorit të çështjes. Në vijim të këtyre argumenteve, subjekti i rivlerësimit deklaroi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 290, datë 10.08.2020, është marrë në shkelje të rëndë të ligjit. Në vijim, subjekti i kërkoi Kolegjit marrjen në cilësinë e provës të disa akteve që ka depozituar bashkëngjitur ankimit, si dhe aksesimin e disa informacioneve nga burime të hapura.Pas disa pyetjeve të relatores në funksion të shqyrtimit të çështjes dhe pasi u konsultua, trupi gjykues, bazuar në nenin 47 të ligjit nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar dhe në nenin 49, pika 6, shkronja “a” të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi të mos lejojë marrjen si provë të akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit.Lidhur me kërkesën për të aksesuar informacione nga burime të aksesueshme dhe të hapura, trupi gjykues vlerësoi që ato mund të konsultohen prej tij në kuadër të këtij gjykimi.I pyetur nga kryesuesja rreth kërkimit përfundimtar, subjekti i rivlerësimit deklaroi se i qëndron kërkimit përfundimtar të përfshirë në ankim.Trupi gjykues, i konsultuar në vend, deklaroi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar të çështjes, të cilin do ta shpallë më datë 14.07.2023, ora 13.00. Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.