Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 25.07.2023, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 9/2021, datë 02.03.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 318, datë 03.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Kujtim Luli.
Palët debatuan rreth një kërkese paraprake të depozituar nga subjekti i rivlerësimit, kërkimi kryesor i së cilës ishte shpallja nga Kolegji e pavlefshmërisë absolute të ankimit, me pretendimin se Komisioneri Publik ndodhej në kushtet e konfliktit të interesit. Në mbështetje të pretendimeve të tij, subjekti i rivlerësimit depozitoi disa akte të reja, duke kërkuar që të merren në cilësinë e provës.
Trupi gjykues vendosi rrëzimin e kërkimeve të paraqitura në kërkesën paraprake të subjektit të rivlerësimit si të pabazuara në fakte dhe ligj.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik vlerësoi se subjekti i rivlerësimit, z. Kujtim Luli, ndodhet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm dhe nuk justifikon me burime të ligjshme pasurinë e tij. Komisioneri Publik deklaroi se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë dhe kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 318, datë 03.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Kujtim Luli dhe shkarkimin e tij nga detyra.
Subjekti i rivlerësimit kërkoi të njihej me analizën financiare në të cilën mbështeten shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, para se të mbante një qëndrim lidhur me to.
Komisioneri Publik deklaroi se ankimi i tij është ngritur mbi analizën financiare të Komisionit të Pavarur të Kualififikimit, pas një vlerësimi të të dhënave të saj nën një optikë të ndryshme ligjore nga ajo e Komisionit.
Duke marrë në konsideratë këtë shpjegim të Komisionerit Publik dhe pas kërkesës së subjektit të rivlerësimit për kohë të arsyeshme për përgatitjen e qëndrimit të tij, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 18.09.2023, ora 10:00, duke ftuar subjektin e rivlerësimit të mbajë qëndrimin e tij bazuar në aktet procedurale të paraqitura nga Komisioneri Publik, deri në momentin aktual procedural të gjykimit.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.