Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 07.12.2023, ora 10:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 51/2022, datë 09.12.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 574, datë 18.10.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Pëllumb Zaimi.
Kryesuesja e seancës bëri me dije se subjekti i rivlerësimit kishte risjellë në Kolegj në formën e kërkuar nga ligji disa akte, sipas detyrës së ngarkuar nga trupi gjykues gjatë seancës së mëparshme.
Trupi gjykues vendosi pranimin në cilësinë e provës të këtyre akteve, ndërsa lidhur me denoncimet vendosi të mos vijohej me hetimin e mëtejshëm të tyre, për shkak se nuk përmbushin kriteret e përcaktuara nga neni 53, i ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes, pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale,dhe i ftoi ato në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Komisioneri Publik, duke i qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, i kërkoi Kolegjit vlerësimin e problematikave të evidentuara për kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, ndërsa, lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë, deklaroi se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë dhe nuk ka arritur të provojë të kundërtën e ankimit gjatë gjykimit të çështjes në Kolegj. Përfundimisht, Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 574, datë 18.10.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Pëllumb Zaimi.
Subjekti i rivlerësimit kundërshoi shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik për të dyja kriteret e rivlerësimit, kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale dhe atë të pasurisë, duke pretenduar se nuk qëndrojnë e nuk janë të bazuara në ligj dhe në prova. Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 574, datë 18.10.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi të tërhiqet për marrjen e vendimit përfundimtar të çështjes, të cilin do ta shpallë më datë 15.12.2023, ora 09:15.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.