11 dhjetor 2023 – Kryetari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Sokol Çomo dhe gjyqtarë të Kolegjit zhvilluan një takim me deputetë të Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës, me fokus procesin e vetting-ut, ndryshimet në kuadrin ligjor dhe sfidat e procesit.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës u njohën me mënyrën e funksionimit të deritanishëm të procesit të vetting-ut, mekanizmat dhe institucionet e përfshira, zbatimin e legjislacionit si dhe perceptimin e publikut për këtë proces.

Ky takim ishte pjesë e një vizite zyrtare dy – ditore e Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës në Kuvendin e Shqipërisë, në kuadër të  bashkëpunimit të vazhdueshëm mes dy komisioneve homologe të ligjeve për të parë nga afër zbatimin e disa prej pikave të marrëveshjes së 11 marsit 2022. Kjo marrëveshje ka qëllim shkëmbimin e përvojës mes Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të Kuvendit të Shqipërisë lidhur me përcaktimin e politikave për disa projektligje dhe ligje.