Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 15.01.2024, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 33/2023, datë 20.07.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 671, datë 14.06.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Ylli Bashaj.
Lidhur me gjetjet dhe opinionin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), Komisionerja Publike deklaroi se duhet të jenë provë në proces dhe duhet të merren në shqyrtim e të vlerësohen nga Kolegji. Komisionerja Publike deklaroi se do të shprehë qëndrimin e saj lidhur me to në konkluzionet përfundimtare të çështjes.
Komisionerja Publike parashtroi shkaqet e ankimit për kriterin e pasurisë, duke vlerësuar se rrethanat e rezultuara nga hetimi administrativ i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duhen rivlerësuar nga Kolegji në drejtim të arritjes së konkluzionit mbi saktësinë dhe vërtetësinë e deklarimeve të subjektit të rivlerësimit për pasurinë. Komisionerja Publike vlerësoi se shkaqet e ankimit do të duhet të gjejnë përgjigje gjatë vlerësimit të çështjes në Kolegj, bazuar në një proces hetimi të plotë, në analizën e saktë dhe shteruese të provave të mbledhura dhe në zbatim të parimeve të procesit të rregullt ligjor. Komisionerja Publike kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 671, datë 14.6.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ose lënien në fuqi të këtij vendimi.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi gjetjet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, duke deklaruar se ato tejkalojnë ankimin dhe janë të bazuara në rrethana që nuk ekzistojnë dhe që nuk kanë ndodhur. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit refuzimin e gjetjeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Përveçse iu përgjigj disa pyetjeve të relatores së çështjes dhe vëzhguesit ndërkombëtar lidhur me gjetjet, subjekti i rivlerësimit paraqiti edhe prapësimet e tij lidhur me shkaqet e ankimit për vlerësimin e kriterit të pasurisë. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit nr. 671, datë 14.6.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të pranojë në cilësinë e provës gjetjet dhe opinionin e Operacionit Ndëkombëtar të Monitorimit, si dhe i kërkoi Komisioneres Publike të mbajë një qëndrim lidhur me gjetjet e ONM-së, situatën faktike konkrete së cilës i referohen, si dhe adresimin e tyre në shkaqet e ankimit. Trupi gjykues vlerësoi se ky qëndrim, është e rëndësishme të mbahet pikërisht në këtë fazë të gjykimit, jo vetëm për t’u bërë pjesë e debatit gjyqësor, por edhe në respektim të parimit të procesit të rregullt ligjor.
Duke qenë se Komisionerja Publike kërkoi kohë të arsyeshme për të mbajtur qëndrimin e saj, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 19 janar 2024, ora 10:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.