Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 16.01.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 12/2023, datë 15.03.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 606, datë 21.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Mariola Mërtiri.

Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisionerja Publike deklaroi se ndan gjykim të kundërt me atë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që ka vendosur konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit. Komisionerja Publike vlerësoi se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës për asnjë prej tri kritereve të rivlerësimit, të pasurisë, të figurës dhe atë të aftësive profesionale. Në përmbyllje të parashtrimeve, Komisionerja Publike kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim shkaqet e ankimit dhe në përfundim të hetimit tërësor të çështjes të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 606, datë 21.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Mariola Mërtiri.

Subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesja e saj ligjore prapësuan shkaqet e ankimit duke deklaruar se nuk qëndrojnë dhe se bien ndesh me parimin e ligjshmërisë, parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit. Në mbështetje të pretendimeve të saj, subjekti i rivlerësimit, znj. Mariola Mërtiri, depozitoi disa akte, të cilat kërkoi të pranohen në cilësinë e provës nga trupi gjykues. Subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 606, datë 21.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

E pyetur nga kryesuesja e seancës lidhur me disa denoncime të publikut, Komisionerja Publike deklaroi se ato nuk përmbajnë rrethana apo fakte për hetime të mëtejshme.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të riçelë hetimin gjyqësor të çështjes, duke pranuar në cilësinë e provës aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit. Trupi gjykues vendosi të mos ndërmarrë hetime të mëtejshme për denoncimet, pasi ato nuk përmbushin kërkesat e nenit 53, të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Pasi subjekti i rivlerësimit iu përgjigj pyetjeve të detajuara të vëzhguesit ndërkombëtar të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit rreth çështjes, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.

Në përgjigje të kërkesës së palëve për kohë të mjaftueshme për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 23.01.2024, ora 9:00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.