Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 26.01.2024, ora 12:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 33/2023, datë 20.07.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 671, datë 14.06.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Ylli Bashaj.
Pas verifikimit të prezencës, kryesuesja e seancës iu kërkoi palëve të paraqisnin konkluzionet përfundimtare.
Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, parashtrimeve dhe qëndrimit mbi Gjetjen dhe Opinionin e vëzhguesve ndërkombëtarë, konkludoi se subjekti i rivlerësimit, nuk arrin nivel të besueshëm në kriterin e vlerësimit të pasurisë, pasi ka bërë deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm si dhe ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme. Në përmbyllje të konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 671, datë 14.6.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Ylli Bashaj.
Subjekti i rivlerësimi, gjatë parashtrimit të konkluzioneve përfundimtare, pretendoi për të kundërtën e konkluzioneve të Komisionerit Publik, dhe i kërkoi trupit gjykues lënien në fuqi të vendimit nr. 671, datë 14.06.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin e tij në detyrë.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar të çështjes, të cilin do ta shpallë më datë 02.02.2024, ora 10:00
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.