Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 25.03.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 43/2023, datë 22.09.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 681, datë 07.07.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Artur Ismajlukaj.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisionerja Publike deklaroi se subjekti i rivlerësimit, edhe gjatë gjykimit të çështjes në Kolegj, nuk arriti të provojë të kundërtën e ankimit lidhur me kriterin e vlerësimit të figurës. Duke i kërkuar Kolegjit që në vlerësimin tërësor të çështjes të marrë në konsideratë edhe mospërputhshmërinë në deklarimet e subjektit të rivlerësimit për kriterin e pasurisë, Komisionerja Publike kërkoi përfundimisht ndryshimin e vendimit nr. 681, datë 07.07.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Artur Ismajlukaj.

Subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet përfaqësuesit të tij ligjor, deklaroi se Komisionerja Publike, pavarësisht kërkimit për vlerësim tërësor të çështjes, nuk ka paraqitur shkaqe ankimi mbi kontrollin e pasurisë dhe aftësive profesionale dhe se, rrethanat e specifikuara prej saj lidhur me kriterin e kontrollit të figurës, nuk mund të çojnë në shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, pasi prevalon integriteti profesional. Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 681, datë 07.07.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar të çështjes, të cilin do ta shpallë me datë 02.04.2024, ora 15:00.

Seanca në seancë publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.