Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 29.04.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 30/2023, datë 14.07.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 675, datë 16.06.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Alfred Balla.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik vlerësoi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të deklaruar të përfunduar procesin e rivlerësimit të subjektit të rivlerësimit z. Alfred Balla, pa një vendim përfundimtar, nuk është i drejtë dhe i bazuar në legjislacionin që normon procesin e rivlerësimit. Sipas tij, subjekti i rivlerësimit ka ushtruar të drejtat e tij, duke shprehur vullnetin e pavesuar për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit, duke zgjedhur ipso jure të ketë dhe ndalimin që parashikon neni G i aneksit të Kushtetutës, për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshme për një periudhë 15-vjeçare.
Subjekti i rivlerësimit, së bashku me përfaqësuesen ligjore, kundërshtuan ankimin e Komisionerit Publik, duke deklaruar se duke qenë se z. Alfred Balla nuk ka paraqitur dorëheqje, ndalimet e parashikuara në nenin G të Aneksit të Kushtetutës nuk mund të aplikohen në rastin e tij. Në mbështetje të pretendimeve të tij, subjekti i rivlerësimit kërkoi administrimin e disa akteve shtesë dhe i kërkoi trupit gjykues lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 675, datë 16.6.2023.
Pasi u këshillua, trupi gjykues, me shumicë votash, vendosi të çelë hetimin gjyqësor të çështjes dhe të administrojë në cilësinë e provës aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimi, përveç atyre që mund të aksesoheshin online, si dhe akteve që ishin tashme pjesë e dosjes.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të paraqesnin konkluzionet përfundimtare.
Përfundimisht, Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 675, datë 16.6.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në këtë mënyrë:
1. Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit ndaj subjektit, z. Alfred Balla.
2. Ndalimin e subjektit të rivlerësimit, z. Alfred Balla, të emërohet gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshme për një periudhë 15-vjeçare.
Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit përsëriti kërkimin e tij, lënien në fuqi të vendimit nr. 675, datë 16.6.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 21.05.2024, ora 15:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.