Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 14.05.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 20/2021, datë 21.04.2021, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Bib Ndreca kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 337, datë 18.01.2021.

Subjekti i rivlerësimit Bib Ndreca, nëpërmjet përfaqësueses së tij ligjore, paraqiti qëndrimin e tij për çështjen në tërësi, si dhe qëndrimin lidhur me burimin e ligjshëm të huasë së huadhënësit P.N. në shumën 5 500 000 lekë për blerjen e apartamentit në Tiranë, shkak për të cilin u vendos shqyrtimi i çështjes në seancë publike.

Përfaqësuesja ligjore deklaroi se subjekti i rivlerësimit nuk ka patur qëndrime kontradiktore lidhur me pasurisë e tij, por ka kryer deklarim të saktë, të mjaftueshëm dhe arrin të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të krijimit të saj. Në mbështetje të pretendimeve të tij, subjekti i rivlerësimit, bashkëlidhur parashtrimeve, depozitoi disa akte, të cilat u pranuan në cilësinë e provës nga trupi gjykues.

Pasi subjekti i rivlerësimit deklaroi se nuk kishte kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues mbylli shqyrtimin gjyqësor të çështjes dhe e ftoi atë të paraqesë konkluzionet përfundimtare.

Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit Bib Ndreca i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 337, datë 18.01.2021 dhe konfirmimin e tij në detyrë.

Trupi gjykues u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 22.05.2024, ora 15:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.