Kolegji i Posaçëm i Apelimit çeli më datë 12.06.2024, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 71/2021, datë 17.11.2021, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Sali Hasa kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 433, datë 03.09.2021.

Kryesuesja bëri me dije se më datë 29.05.2024, vëzhguesi ndërkombëtar i çështjes i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) ka njoftuar Kolegjin se për arsye objektive, ai personalisht, por edhe vëzhgues të tjerë ndërkombëtarë të ONM-së e kishin të pamundur pjesëmarrjen në seancën e sotme gjyqësore.

Subjekti i rivlerësimit Sali Hasa, i pyetur nga kryesuesja e seancës, shprehu qëndrimin e tij për vazhdimësinë e seancës pa praninë e vëzhguesit ndërkombëtar.

Trupi gjykues, referurar parashikimeve të nenit 55 të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, sipas të cilit, zhvillimi i seancës me praninë e vëzhguesit ndërkombëtar, është një detyrim ligjor, vendosi shtyrjen e saj për në datën 24.06.2024, ora 10:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.