Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 24.06.2024, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 71/2021, datë 17.11.2021, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Sali Hasa kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 433, datë 03.09.2021.

Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit u dëgjua nga trupi gjykues teksa paraqiti në mënyrë të detajuar kundërshtimet lidhur me vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 433, datë 03.09.2021, duke deklaruar se në ky vendim është marrë në shkelje të rënda të procesit të rregullt ligjor, bazuar në pasqyra të pasakta financiare, është i paargumentuar dhe i pambështetur në ligj e prova.

Në mbështetje të pretendimeve të tij për kriterin e pasurisë, bashkëlidhur parashtrimeve të seancës së sotme, subjekti i rivlerësimit paraqiti disa akte, të cilat kërkoi të pranoheshin në cilësinë e provës nga trupi gjykues.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor të çështjes dhe të pranojë në cilësinë e provës një pjesë të akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit dhe të refuzojë pjesën tjetër të akteve, për arsye të mosplotësimit të kritereve formale, apo për arsye se një pjesë e tyre mund të aksesohen nga burime të hapura, apo për shkak se ato janë tashmë pjesë e dosjes.

Në vijim të vendimit të ndërmjetëm, përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit, duke konstatuar se shumica e akteve të refuzuara nga trupi gjykues për arsye të mosplotësimit të kritereve formale disponohej prej tyre në formën origjinale, kërkoi kohë qe t’i jepej mundësia për t’i depozituar ato në një moment të dytë në Kolegj.

Trupi gjykues vendosi të pranojë këtë kërkesë procedurale, duke i dhënë kohë subjektit të rivlerësimit të depozitojë këto akte në Kolegj, brenda datës 02.07.2024, si dhe duke shtyrë seancën gjyqësore publike për në datën 04.07.2024, ora 09:30.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.