Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 28.06.2024, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 23/2023, datë 26.05.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 657, datë 28.04.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Periand Teta.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisionerja Publike deklaroi se i qëndron të gjitha shkaqeve të ankimit të paraqitura në seancën e datës 25.06.2024 dhe i kërkoi përfundimisht Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 657, datë 28.04.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar dhe sipas nenit G të aneksit të Kushtetutës, ndalimin e subjektit të rivlerësimit për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshme për një periudhë 15-vjeçare.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, subjekti i rivlerësimit deklaroi se konstaton që Komisionerja Publike ka elaboruar shkaqe të reja në ankim, si në seancën e mëparshme, ashtu dhe në seancën e sotme, çka i vendos palët në pozita të pabarabarta. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit ta vlerësojë ankimin e Komisioneres Publike, duke marrë në konsideratë edhe këtë konstatim të tij.

Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit që në mënyrë alternative, të vendosë lënien në fuqi të vendimit të KPK-së, ose prishjen e këtij vendimi dhe urdhërimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të vijojë procesin e rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, Periand Teta, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “c”, e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 17.07.2024, ora 14:00.

Seanca në seancë publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.