Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 09.07.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 19/2023, datë 18.05.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 632, datë 08.03.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Laurent Fuçia.

Gjatë paraqitjes së shkaqeve në ankimit, Komisioneri Publik deklaroi se subjekti i rivlerësimit ka mangësi sa i përket kriterit të vlerësimit të aftësive profesionale, pasi ka interpretuar në mënyrë të gabuar normën procedurale penale e civile, si dhe ka dhënë vendime të pabazuara në ligj e në prova që ngrenë dyshime për integritetin e tij. Duke konstatuar se këto mangësi të evidentuara nuk mund të plotësohen nga programet trajnuese, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 632, datë 08.03.2023 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Laurent Fuçia.

Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik si të pabazuara në ligj e në prova, si dhe paraqiti një tablo orientuese për vlerësimin tërësor të aftësive të tij profesionale, në mbështetje të së cilës paraqiti disa akte të reja, të cilat kërkoi të pranohen në cilësinë e provës nga trupi gjykues. Subjekti i rivlerësimit deklaroi se arrin nivel kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale dhe i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 632, datë 08.03.2023.

Trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë në cilësinë e provës disa nga aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit, duke vlerësuar se aktet e tjera mund t’i aksesonte nga burime të hapura të informacionit.

I pyetur nga kryesuesja nëse kishte nevojë për kohë shtesë për të mbajtur një qëndrim lidhur me provat e reja, Komisioneri Publik deklaroi se nuk kishte nevojë për kohë shtesë, për sa kohë nuk lidheshin me shkaqet e ankimit.

Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe i ftoi ato në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.

Komisioneri Publik kërkoi që parashtrimet e paraqitura në seancë të konsideroheshin edhe si bisedime përfundimtare duke i qëndruar edhe kërkimit përfundimtar. Edhe subjekti i rivlerësimit u qëndroi prapësimeve dhe kërkimit të tij për lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 632, datë 08.03.2023.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi kërkimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë, më datë  25.07.2024, në ora 15:00.

Seanca në seancë publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.