Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 22.07.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 39/2023, datë 04.09.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 661, datë 18.05.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Besnik Hoxha.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik deklaroi se gjatë procesit të zhvilluar në Kolegj, subjekti i rivlerësimit, z. Besnik Hoxha, nuk arriti të provojë të kundërtën e barrës së provës lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë si dhe me rrethanat e konstatuara të konfliktit të interesit që duhen vlerësuar nga Kolegji në kuadër të kriterit të aftësive profesionale dhe integritetit të tij si gjyqtar. Përfundimisht, Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 661, datë 18.05.2023 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
Duke kundërshtuar ankimin, përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit deklaroi se i qëndron argumenteve të paraqitura gjatë procesit në Kolegj, të cilat provojnë në mënyrë shteruese se z. Besnik Hoxha arrin nivel të besueshëm në kriterin e vlerësimit të pasurisë, kriterin e figurës dhe nivel kualifikues në vlerësimin e kriterit profesional. Përfaqësuesja ligjore deklaroi se subjekti i rivlerësimit nuk ndodhet në asnjë rast në kushtet e konfliktit të interesit apo anshmërisë gjatë ushtrimit të detyrës së gjyqtarit dhe përfundimisht, i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 661, datë 18.05.2023.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 25.07.2024, ora 16:00.
Seanca në seancë publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.