Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 25.07.2024, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 29/2021, datë 28.05.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 352, datë 01.03.2021, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Iliba Bezati.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, përpos faktit që mori në konsideratë disa nga argumentet në prapësimet e subjektit të rivlerësimit në kuadër të kriterit të pasurisë, Komisioneri Publik deklaroi se mungesa e burimeve financiare të ligjshme arrin një vlerë, për të cilën nuk mund të zbatohet parimi i proporcionalitetit. Komisioneri Publik deklaroi se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm lidhur me kriterin e pasurisë, ndërkohë që mbeten të pandryshuara edhe rrethanat faktike lidhur me kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale.

Përfundimisht, Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 352, datë 01.03.2021 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Iliba Bezati.

Subjekti i rivlerësimit deklaroi se arrin nivel të besueshëm për kriterin e vlerësimit të pasurisë, të figurës dhe nivel kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale dhe se konkluzionet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të trija kriteret janë të drejta e të bazuara në ligj. Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 352, datë 01.03.2021.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 30.07.2024, ora 10:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.