Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 26.09.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 20/2024, datë 30.05.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 757, datë 09.04.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Erjon Shqarri.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit për kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, Komisionerja Publike, znj. Irena Nino, deklaroi se ndan gjykim të kundërt me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë. Komisionerja Publike i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 757, datë 09.04.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pezullimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit për një periudhë njëvjeçare dhe detyrimin për të ndjekur programin e trajnimit, sipas kurikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës.
Ndërsa iu kërkua nga kryesuesi i seancës të mbante një qëndrim lidhur me një denoncim të mbërritur në Kolegj, Komisionerja Publike deklaroi se e lë në çmim të gjykatës, pasi shkaqet e ankimit vlerësohen të mjaftueshme për çështjen.
Subjekti i rivlerësimit prapësoi shkaqet e ankimit të Komisioneres Publike, duke i vlerësuar si të pambështetura në ligj e në prova dhe i kërkoi Kolegjit të verifikojë provat shteruese të administruara në dosje, duke vendosur lënien në fuqi të vendimit nr. 757, datë 09.04.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që e ka konfirmuar në detyrë.
Lidhur me denoncimin, subjekti i rivlerësimit paraqiti dy akte, duke ftuar trupin gjykues të njihet me statusin ligjor të çështjes së trajtuar nga denoncuesi.
Pasi u njoh me aktet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit që tregonin se çështja është nën shqyrtim në një gjykatë të juridiksionit të përgjithshëm, trupi gjykues, bazuar në nenin E të Aneksit të Kushtetutës, vendosi të mos hetojë mbi denoncimin në kushtet e nenit 53 të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Në vijim, trupi gjykues ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit kërkuan nga trupi gjykues që të konsideroheshin konkluzione përfundimtare, parashtresat e paraqitura prej tyre gjatë seancës së sotme gjyqësore.
Trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 03.10.2024, ora 15:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.