Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 13.12.2024, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 10/2022, datë 15.02.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 479, datë 03.12.2021, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Arben Dosti.

Subjekti i rivlerësimit Arben Dosti, i pranishëm në seancën e sotme, deklaroi se pranonte të përfaqësohej në këtë proces gjyqësor, në prani dhe në mungesë, nga përfaqësuesja ligjore Romina Zano, i cila paraqiti prokurën e posaçme të përfaqësimit në formën e kërkuar nga ligji, në përmbushje të detyrës së lënë nga trupi gjykues gjatë seancës së mëparshme, të datës 06.12.2024.

Subjekti i rivlerësimit paraqiti dy kërkesa paraprake, nëpërmjet të cilave kërkoi: së pari, pezullimin e procesit në Kolegj, me qëllim verifikimin e gjurmëve papilare në kuadër të shkaqeve të ankimit të lidhura me kontrollin e figurës, si dhe për arsye se, në gjykatën e shkallës së parë të Athinës po zhvillohet një proces tjetër gjyqësor i z. Arben Dosti me një bankë greke, vendimmarrja mbi të cilin, ndërlidhet me kriteret e procesit të rivlerësimit kalimtar; së dyti, kërkoi deklasifikimin e raportit të DSIK-së të lidhur me kontrollin e figurës, pasi në rrethanat aktuale, mospasja qoftë edhe e një informacioni minimal në këtë kuadër, e vendos në pozita të disfavorshme kundrejt ankimit të Komisionerit Publik, në referencë të parimit të barazisë së armëve dhe të proporcionalitetit.

I pyetur nga kryesuesja e seancës lidhur me qëndrimin e tij rreth këtyre kërkesave paraprake, Komisioneri Publik deklaroi se e lë në çmim të gjykatës.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vlerësoi se kërkesat e subjektit të rivlerësimit, në thelb, nuk janë paraprake dhe i kërkoi subjektit të rivlerësimit t’i paraqesë si kërkesa formale për hetimeve të mëtejshme dhe marrje provash; rrjedhimisht i konsideroi të pabazuara në ligj. Gjithashtu, kryesuesja e trupit gjykues deklaroi se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i ka dhënë mundësi subjektit të rivlerësimit të mbrohet dhe të paraqesë prova lidhur me të dhënat që kanë rezultuar nga ky raport dhe kontrolli i kriterit të figurës. Gjithësesi, trupi gjykues i bëri me dije subjektit të rivlerësimit që këtë kërkesë nuk duhet t’ia paraqesë Kolegjit, por organeve kompetente sipas legjislacionit në fuqi.

Kryesuesja relatoi se gjatë procesit administrativ të zhvilluar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ky i fundit dhe më pas, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, më datë 16.10.2024, i kanë kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të marrë informacion nga institucionet respektive greke mbi gjendjen gjyqësore të subjektit të rivlerësimit. Kërkesa e Kolegjit dhe përgjigja e Ministrisë së Drejtësisë lidhur me të iu vu në dispozicion palëve gjatë seancës gjyqësore, për të cilat ato u ftuan të mbajnë qëndrim gjatë paraqitjes së parashtrimeve të tyre.

Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit për të trija kriteret e rivlerësimit, Komisioneri Publik deklaroi se vendimi i Komisioni që ka konfirmuar në detyrë subjektin e rivlerësimit është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 479, datë 03.12.2021, si dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Arben Dosti. Komisioneri Publik konstatoi se Ministria e Drejtësisë nuk kishte përcjellë ndonjë dokument apo informacion nëse subjekti i rivlerësimit kishte pasur dënim penal në Greqi, por deklaroi se e lë në çmim të gjykatës nëse do të vijojë të kërkojë informacionin e munguar, pasi, sipas tij, shkaqet e ankimit janë të mjaftueshme për shkarkimin e subjektit të rivlerësimit.

Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit i kërkoi Kolegjit t’i drejtonte një kërkesë tjetër Ministrisë së Drejtësisë, pasi një përgjigje shteruese institucionale do të ishte e domosdoshme për subjektin e rivlerësimit, në mënyrë që të mbante një qëndrim të qartë lidhur me shkaqet e ankimit.

Trupi gjykues vendosi që këtë kërkesë, do ta vlerësonte pas fazës së parashtrimeve.

Subjekti i rivlerësimit paraqiti në mënyrë të detajuar prapësimet e tij lidhur me tri kriteret e vlerësimit dhe përsëriti kërkesën për kohë të arsyeshme, në mënyrë që të depozitonte dokumentin e kërkuar nga shteti grek, pasi e zotëronte atë, por i mungonte vula apostile. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi trupit gjykues çeljen hetimit gjyqësor, në kuadër të pranimit në cilësinë e provës të disa akteve të reja në mbështetje të pretendimeve të tij.

I pyetur lidhur me aktet, Komisioneri Publik u shpreh se nga pikëpamja formale nuk kishte kundërshti, por sa i përket vlerës provuese të tyre, do të shprehej gjatë konkluzioneve përfundimtare.

Kryesuesja bëri me dije se gjatë ditës së sotme në Kolegj kishte mbërritur një denoncim i ri, të cilin ua vuri palëve në dispozicion.

Për shkak të seancës së tejzgjatur në kohë, trupi gjykues vendosi shtyrjen e saj për në datën 19.12.2024, ora 12:30, duke i lënë detyrë palëve që gjatë kësaj séance të mbajnë qëndrim lidhur me denoncimet dhe subjektit të rivlerësimit, të paraqesë formalisht kërkesat e fillimit të seancës.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.