Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 14.01.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 10/2022, datë 15.02.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 479, datë 03.12.2021, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Arben Dosti.

Kryesuesja e seancës bëri me dije se ka rezultuar mbarimi i mandatit kushtetues të Komisionerëve Publikë; në këto kushte, bazuar në nenin 179/b, pika 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në nenin 199, paragrafi i 2-të i Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi kalimin procedural të palës “Komisioner Publik” tek “Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme”, për vijimin e mëtejshëm të gjykimit të çështjes.

Kryesuesja informoi se trupi gjykues ishte njohur me informacionin e agjencive ligjzbatuese, me të cilin është  njohur edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në kuadër të procesit të rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit Arben Dosti.

Në vijim të detyrave të ngarkuara nga trupi gjykues me vendimin e ndërmjetëm të seancës së datës 19.12.2024, subjekti i rivlerësimit kishte depozituar akte në Kolegj për 3 denoncime, të cilat i ishin përcjellë Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, që konfirmoi marrjen e tyre. Gjithashtu, një denoncim i ri, i ardhur në Kolegj ditën e djeshme, u ishte përcjellë palëve.

Në referencë të akteve, subjekti i rivlerësimit kundërshtoi pretendimet e ngritura në denoncime, ndërsa përfaqësuesja e tij ligjore i kërkoi Kolegjit, që nëse shpjegimet e subjektit të rivlerësimit nuk vlerësohen të mjaftueshme, të investohej për të siguruar fashikujt e çështjeve nën shqyrtim në Gjykatën e Lartë dhe në dy gjykata të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, të lidhura me denoncimet.

Në vijim, subjekti i rivlerësimit iu përgjigj disa pyetjeve të relatores, në funksion të shqyrtimit të çështjes.

Lidhur me denoncimin e ri, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se nuk përmban fakte apo rrethana të mjaftueshme për hetime të mëtejshme apo që mund të ndikojnë në shkaqet e ankimit për vlerësimin e kriterit profesional.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi:
• Të pranojë në cilësinë e provës aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit lidhur me denoncimet.
• Të rrëzojë kërkesën e subjektit të rivlerësimit për t’iu drejtuar Gjykatës së Lartë dhe dy gjykatave të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, pasi aktet që mund të përcillen vlerësohen të panevojshme në kuadër të shqyrtimit të metejshëm të kësaj çështjeje.

Subjekti i rivlerësimit paraqiti në formën e kërkuar nga ligji dokumentin nga shteti grek mbi gjendjen e tij gjyqësore, lidhur me të cilin, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se nga pikëpamja formale është i rregullt.

Trupi gjykues vendosi ta administrojë në cilësinë e provës edhe këtë dokument.

Subjekti i rivlerësimit përsëriti kërkesat e tij të paraqitura në seancat e mëparshme, të lidhura me kriterin e vlerësimit të figurës: Njohjen me raportin e DSIK-së për të shprehur qëndrimin e tij lidhur me informacionin që përmban ky raport dhe verifikimin e gjurmëve papilare. Lidhur me këto kërkesa, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se duhet të rrëzohen, pasi trupi gjykues është shprehur lidhur me to, në seancën e datës 19.12.2024 dhe nuk ka pasur ndonjë rrethanë të re për t’i rimarrë në konsideratë.

Kryesuesja deklaroi se trupi gjykues mban të njëjtin qëndrim të shprehur më parë lidhur me këto kërkesa.

Në vijim, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare në seancën e radhës që do të zhvillohet më datë 27.01.2025, ora 11:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.