Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 19.02.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 23/2022, datë 30.05.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 524, datë 08.04.2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elfrida Bregova.

Kryesuesja e trupit gjykues informoi se në vijim të seancës së mëparshme, i është drejtuar shoqërisë ndërtuese të apartamentit të deklaruar nga subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur me të, për informacion dhe dokumentacion shtesë, por nuk ka arritur të marrë përgjigje, edhe pse ka përdorur të gjitha format e komunikimit në dispozicion.

Kryesuesja bëri gjithashtu me dije se pas kërkesës së Kolegjit drejtuar AKSIK-së për të dërguar raportin e përditësuar lidhur me kriterin e vlerësimit të figurës së subjektit të rivlerësimit, ky autoritet e ka dërguar, por si një dokument të klasifikuar. Kolegji ka përsëritur kërkesën drejtuar AKSIK-së për të vendosur në dispozicion raportin e deklasifikuar për efekt të procesit gjyqësor, në mënyrë që t’i përcillet për njohje subjektit të rivlerësimit.

I pyetur për qëndrimin e tij lidhur me këtë situatë, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se, duke marrë parasysh që informacioni dhe dokumentacioni i kërkuar nga shoqëria ndërtuese, por edhe AKSIK-ja, konsiderohen të nevojshme për çështjen, duhet të pritet për përgjigjet respektive.

Edhe subjekti i rivlerësimit ndau të njëjtin qëndrim me Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme.

Lidhur me një denoncim të publikut, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se nuk përmban rrethana që mund të ndikojnë në çështjen nën gjykim dhe rrjedhimisht, nuk janë të nevojshme hetimet e mëtejshme. Pasi dëgjoi edhe qëndrimin e subjektit të rivlerësimit për këtë denoncim, trupi gjykues vendosi të mos hetojë më tej, pasi nuk përmban shkaqe për hetime të mëtejshme, sipas nenit 53 të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Pasi u këshillua, trupi gjykues vendosi që në pritje të përgjigjeve nga shoqëria ndërtuese dhe AKSIK-ja, të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 05.03.2025, ora 13:00. Gjatë kësaj séance, palët duhet të jenë të përgatitura edhe për konkluzionet përfundimtare, nëse eventualisht do t’u jenë përcjellë dokumentet e kërkuara.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.