Kolegji i Posaçëm i Apelimit çeli më datë 09.04.2025, ora 15:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 27/2022, datë 17.06.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 521, datë 01.04.2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Erjon Shehaj.

Pas çeljes së seancës gjyqësore kryesuesi i trupit gjykues relatoi si vijon:

Më datë 08.04.2025, subjekti i rivlerësimit ka paraqitur në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit një akt të titulluar “Kërkesë për çeljen e hetimit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit”. Ky akt është depozituar si nëpërmjet postës elektronike, ashtu edhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga subjekti i rivlerësimit në formën e një dokumenti të shkruar dhe të nënshkruar prej tij. Bashkëlidhur kësaj kërkese ishte një vendim gjyqësor i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Trupi gjykues, në seancën e datës 04.04.2025, vendosi t’i japë fund hetimit gjyqësor të çështjes dhe të tërhiqet në dhomën e këshillimit për marrjen e vendimit përfundimtar, vendim të cilin e mori në bisedimet që zhvilloi më datë 04.04.2025, në prezencë të vëzhguesit ndërkombëtar të çështjes. Kërkesa është depozituar disa ditë më pas, më datë 08.04.2025 dhe trupi gjykues ishte në pamundësi ligjore për të shqyrtuar çfarëdolloj kërkese që mund të paraqitet nga palët pas marrjes së vendimit përfundimtar. Për këtë arsye, në respektim të parashikimeve ligjore, kjo kërkesë e subjektit të rivlerësimit nuk është marrë parasysh nga ana e trupit gjykues, si rrjedhojë do të vijohet me shpalljen e vendimit përfundimtar të marrë nga trupi gjykues për këtë çështje.

Në vijim, trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Albana Shtylla relatore, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 27/2022, datë 17.06.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 521, datë 01.04.2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Erjon Shehaj.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

· Ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 521, datë 01.04.2022 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Erjon Shehaj.

· Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall në Tiranë, sot, më datë 09.04.2025.