Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 28.04.2025, ora 14:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 24/2024, datë 01.07.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 744, datë 19.03.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Artan Hajredinaj.

Në seancën e sotme gjyqësore, gjatë së cilës ishte planifikuar që palët të paraqisnin konkluzionet përfundimtare, u konstatua mungesa e përfaqësueses ligjore të subjektit të rivlerësimit. Ky i fundit bëri me dije se rreth një orë para fillimit të seancës, përfaqësuesja ligjore e kishte njoftuar se për probleme shëndetësore familjare, e kishte të pamundur të ishte e pranishme në seancë. Subjekti i rivlerësimit deklaroi se nuk ishte i përgatitur për të paraqitur konkluzionet përfundimtare, madje nuk i dispononte parashtrimet dhe kërkoi shtyrjen e seancës për një kohë të arsyeshme.

Përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme, z. Klodian Braho, i pyetur nga kryesuesja lidhur me qëndrimin e tij për këtë kërkesë, deklaroi se seanca mund të vijonte me parashtrimet e tij dhe subjekti i rivlerësimit mund t’i paraqiste ato në një seancë tjetër.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës për në datën 06.05.2025, ora 10:00, duke ftuar palët të përgatiten për të siguruar efikasitetin e seancës së ardhshme gjyqësore.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.